Thursday, December 8, 2011

Kur nuk mund të largoheni nga puna?

Punëdhënësi nuk mund ta ndërpresë marëdhënien e punës kur punëmarrësi:

- Është me raport mjekësor
- Është me leje lindjeje
- Është me pushime ose leje të dhënë nga punëdhënësi
- Është duke kryer shërbimin ushtarak

Gjithsesi ka një përjashtim përsa i përket rasteve të mësipërme. Nëse raporti juaj vijon për më shumë se 1 vit atëherë punëdhënësi ka të drejtë t’ju pushojë nga puna.
Duke interpretuar Kodin e Punës, mund të themi se nëse plotësohet afati 1 vjecar që ju keni qenë me raport punëdhënësi ka të drejtë t’ju largojë nga puna më një shkak të ligjshëm. Duhet pasur parasysh se kjo do të ndodhë dhe nëse ju vijoni të jeni sëmurë.
Ligji nuk shprehet nëse periudha 1 vjecare gjatë së cilës ju keni qenë me raport duhet të jetë e pandërprerë ose jo. Mendoj se konteksti i ligjit duhet të jetë se raporti juaj ka vijuar për 1 vit pa ndërprerje. Gjithsesi do të mbetet për gjykatën të vendosë në një rast që nuk ka qenë pa ndërprejeje.

Masat disiplinore

Masat disiplinore janë ndëshkime ligjore që punëdhënësi mund ti japë punonjësit në rast se ai shkel detyrat e tij të përcaktuara me në Kodin e Punës Kontratën Kolektive ose Kontratën Individuale të punës. Largimi nga puna për shembull është masa disiplinore më e rëndë.. Masat disiplinore nuk parashikohen në Kodin e Punës. Kodi shprehet se ato parashikohen në kontratat kolektive.
Kontrata kolektive është një kontratë që lidhet midis një ose disa punëdhënësish dhe një ose disa sindikatash që përfaqësojnë punonjësit. Normalisht kontrata kolektive përmban dispozita më specifike që kanë të bëjnë me të drejta dhe detyrime më konkrete për palët.
Masat disiplinore që jepen në varësi të shkeljes së kryer nga punonjësi përgjithësisht janë:

- Vërejtje me shkrim
- Vërejtje me paralajmërim per largim nga detyra
- Shkarkim nga detyra

Zakonisht masat disiplinore shuhen pas një afati të caktuar nëse punonjësi nuk kryen shkelje te tjera. Pra nëse për një kohë të caktuar nuk kryeni shkelje në punë, masa do të quhet se nuk është dhënë asnjëherë dhë nuk do ketë me efekt ligjor. Afati që duhet të kalojë për shuarjen e një mase disiplinore do të përcaktohet në kontratën kolektive.
Por nëse para shuarjes së një mase disiplinore do të kryeni një shkelje tjetër zakonisht punëdhënësi mund tju japë masën displinore më të rëndë atë të largimit nga puna. Pra duhet të bëni kujdes kur keni një masë disiplinore.
Masat displinore duhet të jenë të arsyetuara.

No comments: