Tuesday, February 12, 2013

Si ndahet pasuria në rast divorci?

Mënyra se si do të ndahet pasuria në rast divorci është një nga momentet më të vështira jo vetëm për një çift por edhe për familjarët e tyre. Për këtë arsye, sa më të qartë të jeni në lidhje me atë ç'ka ju takon në rast divorci më shumë kokëçarje do ti kurseni vetes.
Në Kodin e ri të Familjes të vitit 2003 u përcaktuan disa mënyra për administrimin dhe ndarjen e pasurisë së përbashkët të dy bashkëshortëve (regjime pasurore martesore). Nëse ju nuk vendosni të zgjidhni një nga mënyrat që Kodi përcakton, automatikisht pasuria juaj bashkëshortore do të administrohet në formën e regjimit pasuror në bashkësi.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që pasuria juaj bashkëshortore e krijuar gjatë martëses do të ndahet në mënyrë plotësisht të barabartë në rast divorci midis të dy bashkëshortëve. Pavarësisht kontributit financiar (pagës apo të të ardhurave të secilit nga bashkëshortët gjatë kohës së martesës) pasuria e vënë gjatë kësaj kohe do të ndahet në mënyrë të barabartë midis të dy bashkëshortëve. Pra, duhet të kuptoni se dhe në rast se njëri nga bashkëshortët nuk ka punuar asnjë ditë gjatë kohës së martesës, sërish pasuria e vënë gjatë kohës së martëses do të ndahet përgjysëm.
Por janë disa pasuri të cilat janë pasuri vetjake e secilit prej bashkëshortëve dhe nuk do të bëjnë pjesë në pasurinë e përbashkët, pra nuk do të ndahen mes bashkëshortëve. Këto pasuri janë:
a) pasuria, e cila para lidhjes së martesës ishte në bashkëpronësi të bashkëshortit me persona të tjerë ose kundrejt së cilës ai ishte titullar i një të drejte reale përdorimi;
b) pasuria e fituar gjatë martesës me anë të dhurimit, të trashëgimisë ose legut, kur në aktin e dhurimit ose në testament nuk përcaktohet se ato janë dhënë në favor të bashkësisë;
c) pasuritë e përdorimit ngushtësisht vetjak të secilit bashkëshort dhe pasuritë e fituara si aksesorë të pasurisë vetjake;
ç) mjetet e nevojshme të punës për ushtrimin e profesionit të njërit prej bashkëshortëve, përveç atyre që janë caktuar për administrimin e një veprimtarie tregtare;
d) pasuria e fituar nga shpërblimi i dëmit vetjak, me përjashtim të të ardhurave që rrjedhin nga pensioni i fituar për shkak të humbjes së pjesshme ose të plotë të aftësisë për punë;
dh) pasuria e fituar nga tjetërsimi (shitja, shkëmbimi) i pasurive vetjake të sipërpërmendura;
e) shkëmbimi i tyre, kur kjo është deklaruar shprehimisht në aktin e blerjes.