Friday, November 2, 2012

Si të blejmë sendet e paluajtshme

Kontrata e shitjes është një akt juridik që lidhet midis dy personave te cilët quhen shitësi dhe blerësi. Qëllimi i lidhjes së një kontrate shitjeje është kalimi i pronësisë së një sendi. Por kontrata e pronësisë mund të lidhet dhe për të kaluar të drejtën e pronësisë mbi një të drejtë. Gjithmonë kontrata e shitjes do të lidhet kundrejt një çmimi.
Kontrata e shitjes mund të lidhet për një send që ekziston tashmë ose për një send që do të krijohet. Shembull, këtu mund të japim kontrata e shitjes për apartamentet që do të ndërtohen në të ardhmen nga shitësi. Në rastin kur kontrata e shitjes do të bëhet per një send i cili do të krijohet ne të ardhmen, kalimi i pronësisë do të bëhet kur sendi të ekzistojë. Pra, një kontratë shitje për një send të ardhëm do të këtë fuqi të plotë juridike pasi sendi të ekzistojë.
Mënyra e shitjes se sendeve të paluajtshme
Duhet te tregoni kujdes te veçantë për shitjen e sendeve të paluajtshme. Sende të paluajtshme janë toka dhe të gjitha ato sende që janë të lidhura pazgjidhshmërisht me tokën si ndertësat, anijet etj. Kjo pasi shitja e pasurive të paluajtshme kërkon një procedurë të përcaktuar nga ligji e cila përbëhet nga dy hapa ligjorë që duhen plotësuar detyrimisht, të cilat janë:
1. Veprimi juridik për blerjen e një prone të paluajtshme duhet të bëhet me akt noterial. Kjo do të thotë se është e detyrueshme që të kontratën e shitjes ta përpiloni dhe nënshkruani para një noteri.
2. Pasi ta keni bërë kontratën e shitjes para një noteri duhet ta dërgoni këtë kontratë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për ta regjistruar (neni 83 i Kodit Civil).
Vetëm pas këtyre dy veprimeve ju do të bëheni pronari ligjor i sendit të paluajtshëm që keni blerë. Pra duhet të bëhen të dy veprimet njëkohësisht, përpilimi dhe nënshkrimi i kontratës para një noteri si dhe regjistrimi i saj në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.