Wednesday, October 7, 2009

Si t’i japim fuqi një vendimi të dhënë nga një gjykatë huaj?

Gjykata e Apelit është ajo e cila bën njohjen e një vendimi të huaj duke mos e shqyrtuar vendimin në themel te gjykatës së një vendi tjetër pasi një vendim i dhënë nga një gjykatë e huaj nuk ka automatikisht fuqi në vendin tonë.

Për ti dhënë fuqi një vendimi të huaj në Shqipëri ka një procedurë të caktuar. Përgjithësisht kjo kërkesë shqyrtohet nga gjykata në një seancë gjyqësore.

Duhet të përpilohet një kërkesë që do të ketë si objekt, njohjen e vendimit të një gjykate të një vendi të huaj.

Kërkesa duhet të paraqitet në Gjykatën e Apelit që mbulon vendbanimin e kërkuesit (personit që kërkon të njohë vendimin e gjykatës së huaj).

Së bashku me kërkesën duhet të paraqisni ne gjykatën e Apelit dhe këto dokumente:

Një kopje të vendimit për të cilin kërkoni njohjen, i cili duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe dhe i legalizuar nga noteri.

Vërtetim nga gjykata që e ka dhënë vendimin, se vendimi për të cilin kërkoni njohjen ka marrë formë të prerë. Të dy dokumentet e mësipërme duhet të legalizohen dhe në Ministrinë e Jashtme tonën.

Në rast se nuk mund të jeni vetë për të paraqitur kërkesën mund ti lëshoni prokurë një avokati ose një personi të familjes. Prokura gjithashtu duhet të jetë e përkthyer në shqip dhe e legalizuar nga një noter në vendin në të cilin lëshohet.