Tuesday, April 10, 2012

Parimet e përgjithshme në lidhje me gjykimin në mungesë sipas Gjykatës Europiane së Drejtave të Njeriut, Strasbourg


Gjykimi në mungesë nënkupton situatën kur një person i akuzuar për një vepër penale refuzon të marrë pjesë në gjykim. Në këtë situatë, nëse i akuzuari nuk ka zgjedhur avokat, Gjykata që po shqyrton çështjen i cakton atij një avokat falas. Detyrimi për zhvillimin e nje procesi të rregullt gjyqësor përcaktohet ne nenin 6 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Këto parime janë përcaktuar në vendimin Sejdovic v.Italisë të Gjykatës:

a- E drejta për të marrë pjesë në gjykim dhe për të pasur një gjykim të ri

Megjithëse nuk është qartësisht e shprehur në nenin 6/1 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, objekti dhe qëllimi i këtij neni i marrë si i tërë, nënkupton se një person ‘i akuzuar për një vepër penale’ duhet te njoftohet në lidhje me procedimin ndaj tij. Më tej në nënparagrafët ‘c’, ‘d’ dhe ‘e’ të paragrafit 3, i garantojnë të drejtën e ‘çdonjërit të akuzuar për një vepër penale’ ‘të mbrojë veten’, ‘të dëgjohet ose të dëgjojë dëshmitarë’ dhe ‘të ketë ndihmë falas nga një përkthyes nëse nuk kupton gjuhën e përdorur në gjykim’. Nëse i pandehuri nuk do të merrte pjesë në gjykim do ta kishte të pamundur të ushtronte këto të drejta që i sigurohen atij nga Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (shih Colozza v.Italy, p.26; FCB v.Italy, p.33; Belzuik v.Polonisë, p.37).
Procedimi në mungesë të të akuzuarit nuk është në vetvete në papërputhshmëri me nenin 6 të Konventës. Megjithatë, do të ishte pa dyshim një mohim i drejtësisë në rast se një person i dënuar në mungesë nuk do të kishte më pas mundësi të dëgjohej nga një gjykatë e cila do të përcaktonte rishtas faktet e çështjes në respektim të ligjit dhe provave. Kjo do të ndodhte në rast se nuk është përcaktuar i pandehuri se ai ka hequr dorë nga e drejta për të marrë pjesë dhe për tu mbrojtur në gjykim.
Konventa u jep Shteteve Kontraktuese një liri vperimi të gjerë për të përcaktuar mjetet në sistemin e tyre ligjor që do të ishin në pajtim me kërkesat e nenit 6. Detyra e Gjykatës është të vlerësojë nëse qëllimi i përcaktuar nga Konventa është arritur. Në veçanti, mjetet proceduriale të ofruara nga ligji vendas dhe praktika një personi të akuzuar për kryerjen e një vepre penale i cili nuk ka hequr dorë nga paraqitja dhe mbrojtja në gjykim dhe as ka kërkuar ti shpëtojë gjykimit, duhet të jenë efektive.
Gjykata, më tej arsyeton se e drejta e të akuzuarit për të qenë pjesëmarrës në gjykim ose gjatë rigjykimit, është një nga kërkesat themelore të nenit 6 të Konventës. Si rrjedhim, refuzimi i kërkesës për rigjykim i të akuzuarit, procesi penal në ngarkim të të cilit është bërë në mungesë të tij dhe pa provuar se ai gjatë gjykimit kishte hequr dorë nga e drejta për tu mbrojtur, është një shkejle flagrante e mohimit të drejtësisë në kundërshtim me parashikimet e nenit 6.

b- Heqja dorë nga e drejta për të marrë pjesë në gjykim

Neni 6 i Konventës nuk e ndalon të akuzuarin të heqë dorë në mënyrë të shprehur ose me veprime konkludente nga garancitë që i siguron neni 6 i Konventës për një gjykim të drejtë. Megjithatë, heqja dorë nga e drejta për të marrë pjesë në gjykim, në mënyrë që të jetë në përputhje me Konventën, duhet të bëhet në mënyrë të qartë dhe duke respektuar minimumin e kërkesave ligjore në përpjestim me rëndësinë e saj. Për më tepër kjo heqje dorë nuk duhet te vijë ndesh me interesin publik.
Gjykata është shprehur se në rast se një person i akuzuar për një vepër penale nuk është njoftuar personalisht në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij, nuk mund të konkludohet vetëm nga fakti i statusit të tij si i arratisur, në rast se ky status është bazuar në prova të paplota se ai ka hequr dorë nga e drejta për të mbrojtur veten.
Gjithashtu, para se të konkludohet se me sjelljen e tij një i akuzuar ka hequr dorë nga një e drejtë e parashikuar në nenin 6 të Konventës duhet të vërtetohet se ai ka pasur mundësi të parashikojë pasojat e sjelljes së tij.
Për më tepër, nuk i takon të akuzuarit barra e provës, për të vërtetuar se ai nuk po i ikte drejtësisë. Në të njëjtën kohë, është në vullnetin e autoriteteve për të vlerësuar shkaqet për të cilat i akuzuari ka munguar gjatë gjykimit ose nëse ai ka munuguar në gjykim për arsye që kanë qenë jashtë vullnetit të tij.

c- E drejta e personit t’u informuar në lidhje me akuzat kundër tij

Neni 6, paragrafi 3 (a) i Konventës, përcakton se çdo njeri i akuzuar për kryerjen e një vepre penale ka të drejtë ‘të informohet menjëherë, në një gjuhë që kupton dhe në mënyrë të detajuar për natyrën dhe shkaqet e akuzave që rëndojnë kundër tij’. Ky parashikim, tregon për vëmendjen e veçantë që duhet të ketë njoftimi i akuzës për të pandehurin. Formulimi i akuzës, luan një rol kryesor në procesin penal, pasi që nga ky moment i akuzuari vihet formalisht në dijeni të provave dhe bazës ligjore që mbështesin akuzën e ngritur kundër tij.
Qëllimi i parashikimit të cituar më lart duhet të vlerësohet nën dritën e të drejtës për nje proces të rregullt gjyqësor, e garantuar nga neni 6/1 i Konventës. Në rastin e procedimeve penale parashikimi i plotë dhe informacioni i detajuar në lidhje me akuzat e ngritura ndaj të akuzuarit dhe si rrjedhim përcaktimi ligjor që gjykata mund të vendosë mbi çështjen është një parakusht thelbësor për të siguruar ligjshmërinë e procedimit.

d- Përfaqësimi ligjor i të akuzuarit të gjykuar në mungesë

Megjithëse nuk është absolute, e drejta e çdo individi të akuzuar për një vepër penale për t’u mbrojtur në mënyrë efektive nga një avokat, qoftë ky i caktuar nga gjykata është një nga tiparet themelore të një gjykimi të drejtë. E drejta për tu mbrojtur nga një avokat, nuk shuhet dhe në rastet kur i akuzuari nuk është prezent gjatë gjykimit. Është e një rëndësie vendimtare për sigurimin e një procesi të rregullt gjyqësor që i akuzuari të përfaqësohet në mënyrë efektive në gjykimin e shkallës së parë dhe në apel.
Në të njëjtën kohë është e një rëndësie thelbësore paraqitja e të akuzuarit gjatë gjykimit jo vetëm për shkak të së drejtës së tij për t’u dëgjuar por dhe për të vërtetuar thëniet e tij dhe për ti krahasuar ato me ato të viktimës, interesat e së cilës duhet te mbrohen, dhe thëniet e deshmitarëve. Ligjvënësi duhet që në përputhje me rrethanat, të jetë i aftë të shmangë mungesat e pajustifikuara në gjykim të të akuzuarit. Kjo duhet të ndodhë, me kusht që sanksionet e përdorura të jenë në përputhje me rrethanat e çështjes dhe të akuzuarit mos ti cënohet e drejta e tij për t’u mbrojtur.
Është detyrë e Gjykatës për të siguruar një proces të rregullt gjyqësor dhë në përputhje me rrethanat të sigurojë që mbrojtësi, i të akuzuarit që po gjykohet në mungesë, ka të gjithë ndihmën e nevojshme për të kryer detyrën e tij.
Ndërsa sanksionon të drejtën e gjithësecilit, të akuzuar për një vepër penale, ‘për të mbrojtur veten personalisht ose nëpërmjet ndihmës ligjore’, neni 6.3 (c) nuk përcakton shprehimisht mënyrat për ta ushtruar këtë të drejtë. Në këtë mënyrë ju mbetet Shteteve kontraktuese, zgjedhja e mjeteve ligjore për ushtrimin e kësaj të drejte. Gjithashtu është detyrë e Gjykatës për të vlerësuar nëse metoda e zgjedhur është në përputhje me kërkesat e nenit 6 për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor. Në këtë aspekt duhet të kihet parasysh se të drejtat e parashikuara nga Konventa ‘garantojnë të drejta që nuk janë teorike ose abstrakte por efektive dhe praktike’. Pra, në vijim të këtij arsyetimi, vetë momenti i caktimit të një mbrojtësi personit që akuzohet për një vepër penale nuk siguron efektivitetin e Konventës.
Megjithatë një Shtet nuk mund të jetë përgjegjës për çdo dështim ose problem nga ana e avokatit të caktuar kryesisht ose nga i akuzuari. Kjo është pjesë e pavarësisë që sistemi gjyqësor e në këtë rast mbrojtësi ligjor ka nga Shteti, duke qenë se sjellja e përfaqësuesit, si ai i caktuar nga shteti dhe ai i zgjedhur nga i akuzuari, është çështje që i përket të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij ligjor. Nëse vihen në dijeni, autoritetet kompetente shtetërore kërkohet të ndërhyjnë për të siguruar një përfaqësim efektiv për të akuzuarin.