Friday, March 15, 2013

Votimi në moshën 16 vjeç

Në një takim me grupin parlamentar më 11 mars kryeministri Berisha propozoi uljen e moshës së votimit nga 18 vjeç që është aktualisht në 16. Këtë propozim Kryeministri e arsyetoi me faktin se kohët e fundit ka marrë shumë mesazhe në Facebook nga të rinj që i kërkojnë të votojnë pa mbuashur moshën 18 vjeç.
Po çfarë rëndësie ka mosha në legjislacionin shqiptar?
Kodi Civil
Nnë nenin 6 të Kodit Civil sanksionohet: ‘Personit, kur mbush moshën tetëmbëdhjetë vjeç, i lind zotësia e plotë që me veprimet e tij të fitojë të drejta dhe të marrë përsipër detyrime civile’.
Zotësia e plotë për të vepruar që një person fiton me arritjen e moshës 18 vjeç do të thotë që ai me vullnetin e tij të lirë mund të marrë përsipër detyrime të ndryshme ligjore si psh: mund të lidhë kontrata, mund të përfaqësojë të tjerë në lidhje kontratash, mund të ngrejë padi në gjykatë etj. Pra, me mbushjen e moshës 18 vjeç çdo person ka të drejtë të ushtrojë në mënyrë ligjërisht të vlefshme të drejtat që i jep ligji.
Kodi i Familjes
Kodi i Familjes në nenin 7 të tij vendos se: ‘Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Gjykata e vendit ku lidhet martesa për shkaqe me rëndësi mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe’.
Sipas këtij neni legjislatori ka vendosur se me mbushjen e moshës 18 vjeç një person është plotësisht i aftë të kuptojë dhe të marrë përsipër detyrimet që lindin nga martesa. Gjithashtu në këtë nen parashikohet se për shkaqe me rëndësi gjykata e vendit ku lidhet martesa mund të lejojë dikë të martohet përpara kësaj moshe. Përcaktimi se cilat shkaqe do të jenë të një rëndësie të tillë sa të lejohet martesa para kësaj moshe i takon gjykatës dhe ajo varion rast pas rasti. Duke pasur parasysh, praktikën gjyqësore këto shkaqe me rëndësi në pjesën më të madhe janë rastet e shtatzanisë në mënyrë që fëmija të lindë brenda një martese.
Kushtetuta
Në nenin 45 të Kushtetutës, pjesa që bën fjalë për liritë dhe të drejtat politike, parashikon se ‘Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet’.
Në këtë nen, legjislatori parashikon se të gjithë personat që kanë mbushur moshën 18 vjeç kanë aftësinë e duhur për të bërë zgjedhjen e duhur në lidhje me qeverisjen që duan të zgjedhin. Për herë të parë, mosha 18 vjeç e votimit u vendos pas Luftës së Dytë Botërore.
Kodi Zgjedhor
Në nenin 3 të këtij Kodi thuhet se: ‘Çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod’.
Ky nen i këtij Kodi reflekton nenin 45 të Kushtetutës i cili vlerëson se një person i cili ka mbushur moshën 18 vjeç ka aftësinë e duhur për të vendosur në lidhje me qeverisjen e vendit.
Arsyeja pse solla këtu të gjithë nenet e mësipërme është për të vënë në pah se mosha e vendosur si 18 vjeç për të votuar nuk duhet parë e shkëputur nga moshat e të tjera të përcaktuara në ligj. Mendoj se ne momentin kur do të vendoset të ndryshohet mosha e votimit duhet bërë një studim i mirëfilltë për të parë nëse personat më të rinj se 18 vjeç kanë aftësinë e duhur për të bërë zgjiedhje te pavarura dhe të përgjithshme. Gjithashtu duhet pasur parasysh që do të ishte jo normale vendosja e moshës zgjedhore 16 vjeç në rast se mosha për të marë mbi vete detyrime të tjera juridike si psh. lidhja e një kontrate apo lejimi për të lidhur martesë do të vijonin të ishin 18 vjeç. Mos ndoshta e drejta për të vendosur për qeverisjen është më pak e rëndësishme se e drejta për të lidhur martesë?