Monday, March 12, 2012

Zgjidhja e marteses (Divorci) në Shqipëri

Kur mund të kërkoni zgjidhjen e martesës (divorcin)

1. Nëse të dy bashkëshortët bien dakort për zgjidhjen e martesës, ata mund të paraqesin para gjykatës bashkë me kërkesë padinë dhe një projekt marrëveshje. Projektmarrëveshja duhet përpiluar para një noteri dhe në të ju duhet të parashikoni se si do të zgjidhni pasojat e zgjidhjes së martesës (cili nga partnerët do të mbajë fëmijët, sa do të kontribojë partneri tjetër ekonomikisht për rritjen e tyre, etj).
2. Në rast se ju dhe bashkëshorti nuk jetoni më bashkë prej 3 vjetësh. Pra në këtë rast kërkohet të provohet se ju jeni ndarë faktikisht prej një periudhe 3 vjecare.
3. Neni 132 i Kodit të Familjes parashikon se secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martësës kur: “Për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjes mendore të pashërueshme, dënimit penal të rëndë të bashkëshortit ose për çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa” jetesa e përbashkët është bërë e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin për të cilin është lidhur për njërin ose të dy bashkëshortët.

Provat që duhet të paraqiten në gjykatë në rastin kur kërkoni zgjidhjen e martesës:
Certifikatë lindje për secilin nga bashkëshortët
Certifikatë martese
Certifikatë lindjeje për secilin nga fëmijët (në rast se keni fëmijë)
Certifikatë familjare

Duhet të keni parasysh se procesi i gjykimit për zgjidhjen e martesës ka si objekt:
Zgjidhjen e martesës
Të përcaktojë se me kë do të rrinë fëmijët
Të përcaktojë se sa do jetë pensioni ushqimor (sasinë e parave) që do të paguajë prindi me të cilin nuk do të jetojnë fëmijët
Te percaktoje takimet periodike te femijeve me prindin i cili nuk jeton me ta

Procedura e gjykimit për zgjidhjen e martesës

Seanca e parë e këtij gjykimi quhet seanca e pajtimit dhe të dy bashkëshortët janë të detyruar të marrin pjesë. Pas kësaj seance mund të zgjidhni ju nëse doni të shkoni në gjykim ose të përfaqësoheni me avokat.
Ndarja e pasurisë së bashkëshortëve do të zgjidhet në një proces tjetër gjyqësor me objekt “Pjestim pasurie”.

No comments: