Thursday, February 18, 2010

Ligji i lustracionit, i dobishëm apo i rrezikshëm?

Gjykata Kushtetuese tashmë në një vendim të plotë të papublikuar ende ka pezulluar zbatimin e ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. Ky ligj siç quhet ndryshe ligji e lustracionit është pezulluar në zbatimin e tij me arsyen se
“Zbatimi i këtij ligji, mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës si dhe në cënimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, dhe për këtë arsye vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të ligjit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”
Shqipëria është një nga vendet e fundit ish-komuniste që po tenton të implementojë një ligj lustracioni. Kryeministri Berisha pas vendimit te Gjykatës Kushtetuese deklaroi se: “Nuk mund të gjykojnë këtë ligj persona të cilët kanë konflikt interesi, duke sqaruar se Gjykata Kushtetuese do të spastrohet përpara se të shkojë për gjykim ky ligj”.
Ndërkohë që Fatmir Xhafa, përfaqësues i Partisë Socialiste, e cila bëri dhe kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e këtij ligji, deri kur Gjykata Kushtetuese të japë një vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje ka deklauar se: “Me kete ligj, si ne asnje rast tjeter jane shkelur jo pak, por te pakten 28 nene te Kushtetutes se Shqiperise. Eshte shkelja me flagrante qe mund te kete ndodhur ndonjehere ne historine 18 vjecare te ketij vendi. Eshte i pafalshem ky lloj brutaliteti i mazhorances ndaj Gjykates Kushtetuese”. Ndërkohë që nuk është e qartë nga qëndrimet e opozitës nëse ajo është në parim kundër një ligji lustracioni apo është kundër këtij ligji të hartuar nga mazhoranca.
Një tjetër problem që vihet re në këtë ligj është dhe kohëzgjatja e kufizimit për të mbajtur funksione të larta publike e ish-funksionarëve të regjimit komunist. Sipas kryeministrit Berisha, efektet e këtij ligji do të shtrihen deri në 31.12.2014, ndërkohë që në nenin 29 të ligjit përcaktohet se ky do të jetë afati i fundit deri kur do të funksionojë veprimtaria e Autoritetit të Kontrollit të Figurës, pa saktësuar nëse vendimet e këtij autoriteti do të kenë fuqi dhe pas kësaj date.
Nëpërmjet këtij ligji ju ndalohet mbajtja e funksioneve të larta publike personave të cilët gjatë periudhës së regjimit komunist 29.12.1944-08.12.1990, kanë kryer funksione të larta partiake, kanë qenë hetues, prokurorë/ndihmësprokuror, gjyqtar/ndihmësgjyqtar në procese politike, kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit etj. Ligji i lustracionit është një masë e nevojshme për shoqërinë shqiptare, në mënyrë që ajo të ndahet përfundimisht nga e kaluara dhe në mënyrë që shteti i ri i së drëjtës që duam të ndërtojmë të mos ngrihet mbi të njëjtët persona që shërbyen gjatë regjimit komunist. Por ky ligj cënon dhe të drejtat e njeriut pasi iu ndalon personave të caktuar në këtë ligj të drejtën për tu zgjedhur ndërkohë që Kushtetuta në nenin 17 të saj sanksionon se “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj dhe për një interes publik….”. Mbetet për të diskutuar nëse është në interes publik që qytetarët e Shqipërisë të kenë një pasqyrë të qartë morale për të zgjedhurit e tyre, nëse ata kanë qenë pjesë aktive e dhunimit të të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist. Shqipëria pas viteve ’90 ka huazuar shumë ligje të mira dhe aktualisht ka një legjislacion pak a shumë të plotë por ajo ku ka çaluar sistemi ynë gjyqësor është zbatimi i këtij kuadri ligjor. Në këndvështrim të kësaj, mendoj së ligji i lustracionit është një ligj që i duhet shoqërisë shqiptare për purifikimin e plotë të saj por a është ligji aktual i miratuar nga parlamenti i plotë dhe a jep mazhoranca garancitë e duhura për zbatimin e drejtë të këtij ligji?