Wednesday, October 7, 2009

Si t’i japim fuqi një vendimi të dhënë nga një gjykatë huaj?

Gjykata e Apelit është ajo e cila bën njohjen e një vendimi të huaj duke mos e shqyrtuar vendimin në themel te gjykatës së një vendi tjetër pasi një vendim i dhënë nga një gjykatë e huaj nuk ka automatikisht fuqi në vendin tonë.

Për ti dhënë fuqi një vendimi të huaj në Shqipëri ka një procedurë të caktuar. Përgjithësisht kjo kërkesë shqyrtohet nga gjykata në një seancë gjyqësore.

Duhet të përpilohet një kërkesë që do të ketë si objekt, njohjen e vendimit të një gjykate të një vendi të huaj.

Kërkesa duhet të paraqitet në Gjykatën e Apelit që mbulon vendbanimin e kërkuesit (personit që kërkon të njohë vendimin e gjykatës së huaj).

Së bashku me kërkesën duhet të paraqisni ne gjykatën e Apelit dhe këto dokumente:

Një kopje të vendimit për të cilin kërkoni njohjen, i cili duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe dhe i legalizuar nga noteri.

Vërtetim nga gjykata që e ka dhënë vendimin, se vendimi për të cilin kërkoni njohjen ka marrë formë të prerë. Të dy dokumentet e mësipërme duhet të legalizohen dhe në Ministrinë e Jashtme tonën.

Në rast se nuk mund të jeni vetë për të paraqitur kërkesën mund ti lëshoni prokurë një avokati ose një personi të familjes. Prokura gjithashtu duhet të jetë e përkthyer në shqip dhe e legalizuar nga një noter në vendin në të cilin lëshohet.

Thursday, September 24, 2009

Cilët janë trashëgimtarët ligjorë?

Trashëgimtarët ligjorë ndahen në disa radhë sipas afërsisë me trashëgimlënësin (personin e vdekur).
Në radhë të parë do të jenë trashëgimtarë ligjorë fëmijët dhe bashkëshorti I trashëgimlënësit të cilët trashegojnë në mënyrë të barabartë. Në rast se ndonjëri prej fëmijve ka vdekur ose për arsye të tjera nuk mund të trashëgojë (është bërë I padenjë etj) pjesa e tij do të trashegohet në mënyrë të barabartë nga fëmijët e tij.
Fëmijët që lindin jashtë martese (nga ndonjë lidhje jashtëmartesore), nëse u është njohur atësia nga trashëgimlënësi, trashëgojnë në mënyrë të barabartë me fëmijët e lindur nga martesa. Pra në këtë rast dhë fëmijët e lindur jashtë martese mund të kërkojnë çeljen e dëshmisë së trashëgimisë.
Mund të trashëgojë dhë fëmija I ngjizur para vdekjes së trashëgimlënësit por me kusht që të lindë gjallë. Nëse ky fëmijë nuk lind gjallë do të konsiderojet sikur nuk ka ekzistuar.
Në radhë të dytë nëse trashëgimlënësi nuk ka fëmijë do të trashëgojnë prindërit e trashëgimlënësit dhe personat e paaftë për punë (invalidë ose të moshuar) që kanë qenë në ngarkim të tij para vdekjes së tij. Në çdo rast nëse trashegimlënësi ka grua ajo do të trashegoje ½ e pasurise nëse nuk ka trashëgimtarë të tjerë të radhës së parë (që janë fëmijët).
Më pas nëse trashëgimlënësi nuk ka dhe trashëgimtarë të kësaj radhe do të trashëgojnë gjyshërit, vëllezërit dhe motrat, fëmijët e vëllezërve dhe motrave. Nëse trashëgimlënësi nuk të paralindur (prindër ose gjyshër) e as vëllezër e motra do të trashegojnë të afërmit më të afërt deri në shkallën e gjashtë.
Në mungesë dhe të këtyre te afërmëve trashëgimia do ti kalojë shtetit.

Friday, September 11, 2009

Shembull i një kërkese për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit

Kërkesë

Kërkues: Emër, Mbiemër, i biri i dhe , dtl. , lindur në , banues në (adresa e saktë)

Objekti: Lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për vendimin nr. (numri i vendimit I cili ka marrë formë të prerë dhe për të cilin kërkohet lëshimi I urdhërit të ekzekutimit)

Baza ligjore: Neni 510/a i Kodit të Procedurës Civile

Përpara Gjykatës së rrethit Gjyqësor (emri i gjykatës e cila ka dhënë vendimin në shkallë të parë)

Me vendimin civil nr. (numri i vendimit) dhe datë (data e vendimit) Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur (do të shkruhet dispozitivi i plotë i gjykatës) (dispozitivi është ajo çka gjykata ka vendosur në lidhje me padinë e ngritur, mund ta pranojë ose ta rrezojë).
(Më pas do të tregoni nëse kundër vendimit të mësipërm është bërë ose jo ankim dhë çfarë ka vendosur Gjykata e Apelit, vendimi i së cilës është i formës së prerë. Nëse ndaj vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor (gjykatës së shkallës së parë) nuk është bërë ankim atëherë vendimi merr formë të prerë 15 ditë pas dhënies së vendimit të shkallës së parë).
Rasti i I: (Kur vendimi nuk është ankimuar në Gjykatën e Apelit).
Duke qenë se vendimi i dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka marrë formë të prerë dhe në bazë të nenit 510/a të Kodit të Procedurës Civile ky vendim është titull ekzekutiv. Për këto arsye kërkoj lëshimin e urdhërit te ekzekutimit.
Rasti i II: (Kur vendimi është ankimuar në Gjykatën e Apelit e cila mund të këtë lënë në fuqi vendimin ose mund ta këtë ndryshuar atë) .
Kundër vendimit nr. , datë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor (emri i gjykates) është bërë ankim në Gjykatën e Apelit (emri i gjykatës) e cila me vendimin e saj nr.(nurmi I vendimit të gjykatës së Apelit), datë (data e evendimit të apelit) ka vendosur lënien në fuqi/ ndryshimin e vendimit nr.(numri I vendimit të gjykatës së shkallës së parë), datë . Konform nenit 510/a te K.Pr.Civile kërkoj lëshimin e udhërit të ekzekutimit nr.(numri i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë/Gjykatës së Rrethit Gjyqësor), vendim I cili ka marrë formë të prerë.
Bashkëlidhur paraqes si provë vendimin për të cilin kërkoj lëshimin e urdhërit të ekzekutimit.

Kërkuesi
(emër, mbiemër, nënshkrim)


P.S. Gjithmonë do kërkohet të lëshohet urdhëri i ekzekutimit për numrin që ka marrë vendimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë/Gjykatën e Shkallës së Parë të rrehit që e ka dhënë.
Së bashku me kërkesën do paraqitet si provë vendimi që ka marrë formën e prerë I cili do të meret në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë/Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit që e ka dhënë.
Këtë kërkesë mund ta kopjoni dhe të zëvendësoni/plotësoni të dhënat.

Thursday, September 10, 2009

Shembull i një kërkese për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë

Kërkesë

Kërkues: Emër, Mbiemër, i biri i dhe , dtl. , lindur në , banues në (adresa e saktë)

Objekti: Lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë për trashëgimlënësin (emri dhe mbiemri I trashëgimlënësit)

Baza ligjore: Neni 348 I Kodit Civil

Përpara Gjykatës së rrethit Gjyqësor (Gjykata e vendit ku drejtohesh, psh.Tiranë)

Unë kërkuesi jam trashëgimtar ligjor i (emri mbiemri i trashëgimlënësit) i cili ka vdekur më datë . Kjo vërtetohet me anë të çertifikatës së vdekjes nr. , datë , lëshuar nga zyra e Gjendjes Civile (emri I gjendjes civile që ka lëshuar çertifikatën e vdekjes).
Nga çertifikata familjare nr. , datë , lëshuar nga Z.Gj.Civile , vërtetohet se trashëgimlënësi ka lënë si trashëgimtarë ligjorë si më poshtë:
(Emrat, mbiemrat, datëlindjet dhe lidhjen që kane me trashëgimlënësin)
P.sh. Gj, K, dtl. , e veja
X, Y, dtl. , i biri,
A, B, dtl. , e bija,
Trashëgimtarët e mësipërm trashëgojnë nga (pjesa që i takon secilit trashëgimtar sipas Kodit Civil).
Trashëgimtarët ligjorë nuk kanë ndonjë pengesë ligjore për të trashëguar dhe nuk kanë hequr dorë nga trashëgimia.
Trashëgimlënësi nuk ka lënë testament për disponimin e pasurisë së tij, nuk ka fëmijë të lindur jashtë martese apo fëmijë të birësuar.
Duke u bazuar në dokumentat e paraqitur, certifikatat e lindjes së trashëgimtarëve, certifikatën familjare dhe certifikatën e vdekjes së trashëgimlënësit kërkoj lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë për trashëgimlënësin (emri, mbiemri)

Kërkuesi
(emër, mbiemër, nënshkrim)
P.S. Këtë kërkesë mund ta kopjoni dhe të plotësoni/zëvëndësoni emrat.

Wednesday, September 9, 2009

Lëshimi i një dëshmie trashëgimie

Çfarë është?
Dëshmia e trashëgimisë është një dokument që i kalon fëmijëve apo trashëgimtarëve të tjerë pasurinë e prindërve apo trashëgimlënësve të tjerë që kanë vdekur. Dëshmia e trashëgimisë nuk jep automatikisht pasurinë e trashëguar por është dokumenti bazë që paraqitet në zyrën e rregjistrimit të pasurive të paluajtëshme apo në banka për të transferuar pronat apo paratë e trashëguara.
Me anë të dëshmisë së trashëgimisë përcaktohen personat që do të trashëgojnë personin e vdekur. Pra personat të cilët do të marin pasurinë e personit të vdekur dhe të cilët do të përgjigjen për detyrimet që kishte në kohën e gjalljes së tij.
Dëshmia e trashëgimisë lëshohet nga gjykata ku ka pasur vendbanimin e fundit të trashëgimlënësi (personi i vdekur). Kërkesa për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë mund të bëhet vetëm nga personat të cilët kanë interes (trashëgimtarët).
Nuk ka afat për kërkimin e dëshmisë së trashëgimisë. Ajo mund të kërkohet edhe për persona që kanë vdekur prej dy brezash.
Dokumentet që nevojiten
Certifikatë vdekje e trashëgimlënësit (personit të vdekur për te cilin kërkohet të çelet trashëgimi)
Certifikatë lindje për secilin nga trashëgimtarët (fëmijët, gruan, prindërit etj)
Certifikatë familjare e familjes së trashëgimlënësit.
Procedurat
Kërkesa për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë duhet të paraqitet në kryesekretarinë e gjykatës kompetente ku duhet të paguani 200 lekë. Më pas hidhet shorti që cakton gjyqtarin që do të gjykojë kërkesën. (Zakonisht kërkon një javë). Duhet të vini adresën e saktë në kërkesë që gjykata t'ju njoftojë, por mund të interesoheni edhe vetë në gjykatë për datën dhe orën. Në datën e caktuar kërkuesi do të paraqitet në gjykatë me një dokument identifikimi dhe me dokumentat e mësipërm dhe do të kërkojë lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë. Normalisht nëse i keni të gjithë dokumentat në fund të seancës gjykata do të dalë me një vendim për kërkesën tuaj. Dëshmia e Trashëgimisë kërkon zakonisht vetëm një seancë. Pas 15 ditëve nga marrja e vendimit, vendimi merr formë të prerë dhe ju do të paraqiteni për të marrë një kopje të vendimit.
Pas kësaj mund të pretendoni trashëgiminë (në rastin e pronave të paluajtëshme duke dorëzuar kërkesën dhe një kopje të vendimit në Zyrën e Rregjistrimit të Pronave të Paluajtëshme si dhe pranë bankave, kur bëhet fjalë për depozita). Një procedurë të tillë ligjore mund të kryhet edhe nga personat pa arsim në Jurisprudencë. Punësimi i një avokati nuk vlerësohet i domosdoshëm.

Friday, September 4, 2009

Lëshimi i urdhërit të ekzekutimit

Në fund të një procesi gjyqësor, zbatimi i vendimit kalon domosdoshmërisht nga një “Urdhër Ekzekutimi”. (Me përjashtim të rastit kur palët e pranojnë dhe zbatojnë vendimin vullnetarisht dhe janë të kënaqur me këtë).
Urdhëri i Ekzekutimit është një veprim procedural i lehtë për t'u realizuar, pasi të gjitha problemet kanë marrë fund praktikisht me përfundimin e gjyqit. Pra Urdhëri i Ekzekutimit është një urdhër që gjykata i jep Zyrës Përmbarimore për zbatimin e vendimit. Zbatimi i një vendimi nuk merret në shqyrtim nga Zyra Përmbarimore pa u shoqëruar me një urdhër ekzekutimi.
Lëshimi i urdhërit të ekzekutimit mund të kërkohet pasi vendimi ka marrë formë të prerë.
Marrja formë të prerë e një vendimi ndodh atëherë kur plotësohet afati i caktuar në ligjin procedurial. Mbas mbarimit të gjykimit në shkallën e parë që është gjykimi në gjykatat e rretheve gjyqësore brenda një afati 15 ditor palët pjesëmarrëse në gjykim kanë të drejtë të ankimojnë këtë vendim në Gjykatën e Apelit. Nëse palët nuk e ankimojnë vendimin atëherë vendimi do të marrë formë të prerë pas 15 ditëve.
Ndërkohë nëse palët e ankimojnë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë gjykimi do të vijojë në Gjykatën e Apelit e cila jep një vendim të formës së prerë. Ndaj vendimit të dhënë prej Gjykatës së Apelit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 30 ditëve. Por rekursi mund të bëhet vetëm në rast të shkeljes së rëndë të procedurës së gjykimit nga gjykata. Rekursi në Gjykatën e Lartë nuk ndalon palët të kërkojnë lëshimin e urdhërit të ekzekutimit, pra vendimi i Gjykatës së Apelit është i formës së prerë. Vetëm në raste të veçanta palët mund të kërkojnë të pezullohet ekzekutimi i një vendimi gjatë gjykimit në Gjykatën e Lartë.
Pra me plotësimin e afateve për ankimim vendimi i dhënë merr formë të prerë dhe personi i interesuar për zbatimin e vendimit përpilon një kërkesë “Për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit” të cilën e paraqet ne Gjykaten e Shkallës së Parë e cila ka dhënë vendimin. Bashkë me kërkesën duhet të paraqisni ne gjykatë dhe një kopje të vendimit që ka marrë formë te prerë të cilin kërkoni të ekzekutohet (vendimi mund të ketë marrë formë të prerë pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë ose Gjykatës së Apelit).
Kjo gjykatë brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës suaj është e detyruar të shqyrtojë kërkesën tuaj duke lëshuar vendimin që urdhëron ekzekutimin e vendimit. Me këtë vendim më pas do të paraqiteni në Zyrën e Përmbarimit që ka kompetencën territoriale të zbatojë vendimet e Gjykatës që ka lëshuar urdhërin (p.sh në rast se vendimin për urdhërin e ekzekutimit e ka dhënë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ju do të paraqiteni prane Zyrës së Përmbarimit Tiranë për të kërkuar që vendimi i dhënë të zbatohet).