Friday, November 25, 2011

Dëmshpërblimi që ju takon në rast se punëdhënësi nuk zbaton procedurën për largimin tuaj nga puna.

Në shkrimin e mëparshëm folëm për afatet e njoftimit që duhet të zbatohen nga punëdhënësi për t’ju njoftuar vendimin e tij për tju larguar nga puna.
Në këtë shkrim do të trajtojmë procedurën të cilën punëdhënsi është i detyruar të zbatojë për t’ju larguar nga puna (neni 144 i Kodit te Punes). Kjo procedurë është e zbatueshme pas kalimit të periudhës së provës.
Në momentin që punëdhënësi ka vendosur tju largojë nga puna ai duhet t’jua njoftojë këtë vendim me shkrim dhe tju japë mundësinë që ta takoni dhe të shprehni mendimin tuaj. Pas njoftimit punëdhënësi duhet tju lërë të paktën 72 orë për tu përgatitur para se ta takoni. Pra nga momenti i njoftimit me shkrim deri në momentin e takimit mes punëdhënësit dhe punëmarrësit (punonjësit) duhet të kalojnë të paktën 72 orë. Normalisht në këtë njoftim me shkrim punëdhënësi do t’ju vërë në dijeni dhe të arsyeve për këtë vendim.
Gjatë takimit që do të keni punëdhënësi do tju shpjegojë më tej arsyet për të cilat ai ka marrë këtë vendimju mund të shprehni pretendimet tuaja.
Pas këtij takimi punëdhënësi ka një afat prej 48 orësh për të dalë me nje vendim, nëse do t’ju largojë nga puna apo do të anullojë procedurën për largimin tuaj nga puna.
Nëse punëdhënësi juaj nuk e zbaton e këtë procedurë, njoftimin tuaj me shkrim, lënien ju kohë për tju përgatitur dhe afatin 48 orësh për të dalë me një vendim, juve ju takon një dëmshpërblim prej 2 muajsh pagë.
Gjithsesi duhet të keni parasysh se moszbatimi i kësaj procedure nga punëdhënësi nuk e bën të pavlefshëm largimin tuaj nga puna, thjesht ju përfitoni dy muaj pagë. Me pagë do të kuptohet paga juaj në momentin e largimit nga puna.
Në çdo rast, si në rastin e zbatimit te afatit të njoftimit për largimin nga puna dhe në rastin e zbatimit të procedurës është detyrë e punëdhënësit të vërtetojë që e ka zbatuar ligjin.

P.S Ju lutem mos ngatërroni zbatimin e afateve te njoftimit dhe të procedurës. Po ju jap një shembull për ta ilustruar. Nëse jeni të punësuar pranë një punëdhënësi (kompanie) për më shumë se 5 vjet dhe punëdhënësi juaj vendos tju largojë nga puna rruga që duhet të ndjekë është kjo.
Duhet tju njoftojë vendimin e tij me shkrim të paktën 3 muaj para. Pas njoftimit ju do të keni takimin me punëdhënësin për të cilin ai duhet tju lërë të paktën 72 orë për tu përgatitur. Pas këtij takimi punëdhënësi do tju njoftojë brenda 48 orësh për vendimin e tij përfundimtar në lidhje me largimin tuaj nga puna. Nëse vendimi është se ju do të largoheni, ju do të vijoni të punoni deri në mbarim të afatit 3 mujor e më pas vendimi për largimin tuaj nga puna mer fuqi ligjore. Mund të ndodhë që punëdhënësi të vendosë t'ju pushojë nga puna menjëherë duke ju paguar 3 muaj pagë.

No comments: