Tuesday, July 24, 2012

Prokura

Prokura është një dokument i shkruar me ane te te cilit mund ti jepni dikujt te drejte te beje veprime ne emrin tuaj (tju perfaqesoje).
Prokura eshte nga format e përfaqësimit. Me përfaqësim do të kuptojmë veprimet e kryera në emër dhe për llogari të një personi tjetër. Këto veprime kryhen:
- Për shkak të ligjit (kur një prind përfaqëson fëmijën e tij ose kujdestari përfaqëson personin që ka në kujdestari ligjore, etj). Në këtë rast kufinjtë në të cilat do të veprojë përfaqësuesi përcaktohen nga ligji
- Për shkak se ekziston një prokurë. Në këtë rast personi që kërkon të përfaqësohet lëshon një prokurë ku përcakton personin që kërkon ta përfaqësojë dhe të drejtat që i jep.
Nuk ka një kufi për veprimet të cilat mund të kryhen nga një përfaqësues përveç veprimeve ligjore të cilat kërkojnë patjetër praninë tuaj për të qenë të vlefshme. Ato veprime të cilat lidhen me karakteristikat tuaja individuale. P.sh. nëse ju keni lidhur kontratë me një shtëpi botuese për të shkruar një libër, nuk mund t’i lëshoni dikujt tjetër prokurë për të kryer këtë veprim. Nuk mund të lëshoni gjithashtu prokurë që dikush tju përfaqësojë në gjendjen civile për të lidhur martesë në emrin tuaj.
Veprimet e kryera në zbatim të përfaqësimit ligjor ose me prokurë do të quhet se janë kryer nga personi i përfaqësuar dhe do të kenë pasoja direkte mbi të dhe mbi trashëgimtarët e tij. Pra duhet të keni kujdes në të drejtat që i jepni dikujt më prokurë për t’ju përfaqësuar pasi do të konsiderohen të kryera nga ju dhe pasojat do të bien mbi ju.
Personi që ju përfaqëson nuk mund të kryejë veprime me veten e tij (psh. Nëse ju i keni lënë dikujt prokurë për t’ju shitur shtëpinë ai nuk mund t’ja shesë këtë shtëpi vetes).
Prokura duhet të bëhet me shkrim. Prokura mund jetë me shkresë të thjeshtë (kur ligji e lejon) ose përpara një noteri. Përpara një noteri do të bëhen ato prokura të cilat janë lëshuar për të kryer veprime ligjore për të cilat ligji kërkon të bëhen me akt noterial. P.sh. Nëse vendosni t’i lëshoni dikujt një prokurë për t’ju shitur shtëpinë duhet të keni parasysh se kjo prokurë duhet të përpilohet para një noteri pasi vetë shitja e shtëpisë nuk mund të bëhet me një kontratë të thjeshtë por para një noteri.

Llojet e prokurës

Prokura mund te jetë dy llojesh: Prokurë e posaçme dhe e përgjithshme.
Në një prokurë të posaçme janë të përcaktuara veprimet të cilat kërkohet të kryhen nga përfaqësuesi juaj, veprime këto të lidhura nga një qëllim i caktuar.
Më anë të një prokure të përgjithshme ju i jepni të drejtë dikujt tju përfaqësojë në lidhje më një tërësi të drejtash. Pra në një prokurë të përgjithshme nuk përcaktohen shprehimisht veprimet të cilat ju kërkoni të kryhen në emrin tuaj.

Përfaqësimi në gjykatë

Në një proces gjyqësor civil në gjykatë përveç avokatëve mund t’ju përfaqësojnë në gjykim dhe: Bashkshorti/ja, prindërit, fëmijët, vëllezrit dhe motrat.
Në këtë rast ky përfaqësim mund të bëhet me prokurë ose me deklarim para gjykatës. Konceptin e prokurës e shpjeguam më lart. Pra, mund të shkoni para një noteri dhe të lëshoni një prokurë për një nga personat që cituam më lart.
Me deklarim, nënkupton që ju të paraqiteni para gjykatës dhe në seancën e parë gjyqësore (seanca e dytë e gjyqit, pasi seanca e parë është seancë përgatitore) dhe të shprehni vullnetin tuaj për t’u përfaqësuar në gjykim nga personi që ju dëshironi (avokat ose familjar). (Në këtë mënyrë do mund të kursenit duke mos lëshuar një prokurë). Në deklarimin tuaj do të përcaktoni nëse përfaqësuesi i zgjedhur nga ana juaj mund tju përfaqësojë në praninë dhe në mungesën tuaj. Pas këtij momenti mbetet në dëshirën tuaj nëse doni të vijoni të shkoni në gjykim.


1 comment:

Anonymous said...
This comment has been removed by a blog administrator.