Tuesday, April 10, 2012

Parimet e përgjithshme në lidhje me gjykimin në mungesë sipas Gjykatës Europiane së Drejtave të Njeriut, Strasbourg


Gjykimi në mungesë nënkupton situatën kur një person i akuzuar për një vepër penale refuzon të marrë pjesë në gjykim. Në këtë situatë, nëse i akuzuari nuk ka zgjedhur avokat, Gjykata që po shqyrton çështjen i cakton atij një avokat falas. Detyrimi për zhvillimin e nje procesi të rregullt gjyqësor përcaktohet ne nenin 6 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Këto parime janë përcaktuar në vendimin Sejdovic v.Italisë të Gjykatës:

a- E drejta për të marrë pjesë në gjykim dhe për të pasur një gjykim të ri

Megjithëse nuk është qartësisht e shprehur në nenin 6/1 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, objekti dhe qëllimi i këtij neni i marrë si i tërë, nënkupton se një person ‘i akuzuar për një vepër penale’ duhet te njoftohet në lidhje me procedimin ndaj tij. Më tej në nënparagrafët ‘c’, ‘d’ dhe ‘e’ të paragrafit 3, i garantojnë të drejtën e ‘çdonjërit të akuzuar për një vepër penale’ ‘të mbrojë veten’, ‘të dëgjohet ose të dëgjojë dëshmitarë’ dhe ‘të ketë ndihmë falas nga një përkthyes nëse nuk kupton gjuhën e përdorur në gjykim’. Nëse i pandehuri nuk do të merrte pjesë në gjykim do ta kishte të pamundur të ushtronte këto të drejta që i sigurohen atij nga Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (shih Colozza v.Italy, p.26; FCB v.Italy, p.33; Belzuik v.Polonisë, p.37).
Procedimi në mungesë të të akuzuarit nuk është në vetvete në papërputhshmëri me nenin 6 të Konventës. Megjithatë, do të ishte pa dyshim një mohim i drejtësisë në rast se një person i dënuar në mungesë nuk do të kishte më pas mundësi të dëgjohej nga një gjykatë e cila do të përcaktonte rishtas faktet e çështjes në respektim të ligjit dhe provave. Kjo do të ndodhte në rast se nuk është përcaktuar i pandehuri se ai ka hequr dorë nga e drejta për të marrë pjesë dhe për tu mbrojtur në gjykim.
Konventa u jep Shteteve Kontraktuese një liri vperimi të gjerë për të përcaktuar mjetet në sistemin e tyre ligjor që do të ishin në pajtim me kërkesat e nenit 6. Detyra e Gjykatës është të vlerësojë nëse qëllimi i përcaktuar nga Konventa është arritur. Në veçanti, mjetet proceduriale të ofruara nga ligji vendas dhe praktika një personi të akuzuar për kryerjen e një vepre penale i cili nuk ka hequr dorë nga paraqitja dhe mbrojtja në gjykim dhe as ka kërkuar ti shpëtojë gjykimit, duhet të jenë efektive.
Gjykata, më tej arsyeton se e drejta e të akuzuarit për të qenë pjesëmarrës në gjykim ose gjatë rigjykimit, është një nga kërkesat themelore të nenit 6 të Konventës. Si rrjedhim, refuzimi i kërkesës për rigjykim i të akuzuarit, procesi penal në ngarkim të të cilit është bërë në mungesë të tij dhe pa provuar se ai gjatë gjykimit kishte hequr dorë nga e drejta për tu mbrojtur, është një shkejle flagrante e mohimit të drejtësisë në kundërshtim me parashikimet e nenit 6.

b- Heqja dorë nga e drejta për të marrë pjesë në gjykim

Neni 6 i Konventës nuk e ndalon të akuzuarin të heqë dorë në mënyrë të shprehur ose me veprime konkludente nga garancitë që i siguron neni 6 i Konventës për një gjykim të drejtë. Megjithatë, heqja dorë nga e drejta për të marrë pjesë në gjykim, në mënyrë që të jetë në përputhje me Konventën, duhet të bëhet në mënyrë të qartë dhe duke respektuar minimumin e kërkesave ligjore në përpjestim me rëndësinë e saj. Për më tepër kjo heqje dorë nuk duhet te vijë ndesh me interesin publik.
Gjykata është shprehur se në rast se një person i akuzuar për një vepër penale nuk është njoftuar personalisht në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij, nuk mund të konkludohet vetëm nga fakti i statusit të tij si i arratisur, në rast se ky status është bazuar në prova të paplota se ai ka hequr dorë nga e drejta për të mbrojtur veten.
Gjithashtu, para se të konkludohet se me sjelljen e tij një i akuzuar ka hequr dorë nga një e drejtë e parashikuar në nenin 6 të Konventës duhet të vërtetohet se ai ka pasur mundësi të parashikojë pasojat e sjelljes së tij.
Për më tepër, nuk i takon të akuzuarit barra e provës, për të vërtetuar se ai nuk po i ikte drejtësisë. Në të njëjtën kohë, është në vullnetin e autoriteteve për të vlerësuar shkaqet për të cilat i akuzuari ka munguar gjatë gjykimit ose nëse ai ka munuguar në gjykim për arsye që kanë qenë jashtë vullnetit të tij.

c- E drejta e personit t’u informuar në lidhje me akuzat kundër tij

Neni 6, paragrafi 3 (a) i Konventës, përcakton se çdo njeri i akuzuar për kryerjen e një vepre penale ka të drejtë ‘të informohet menjëherë, në një gjuhë që kupton dhe në mënyrë të detajuar për natyrën dhe shkaqet e akuzave që rëndojnë kundër tij’. Ky parashikim, tregon për vëmendjen e veçantë që duhet të ketë njoftimi i akuzës për të pandehurin. Formulimi i akuzës, luan një rol kryesor në procesin penal, pasi që nga ky moment i akuzuari vihet formalisht në dijeni të provave dhe bazës ligjore që mbështesin akuzën e ngritur kundër tij.
Qëllimi i parashikimit të cituar më lart duhet të vlerësohet nën dritën e të drejtës për nje proces të rregullt gjyqësor, e garantuar nga neni 6/1 i Konventës. Në rastin e procedimeve penale parashikimi i plotë dhe informacioni i detajuar në lidhje me akuzat e ngritura ndaj të akuzuarit dhe si rrjedhim përcaktimi ligjor që gjykata mund të vendosë mbi çështjen është një parakusht thelbësor për të siguruar ligjshmërinë e procedimit.

d- Përfaqësimi ligjor i të akuzuarit të gjykuar në mungesë

Megjithëse nuk është absolute, e drejta e çdo individi të akuzuar për një vepër penale për t’u mbrojtur në mënyrë efektive nga një avokat, qoftë ky i caktuar nga gjykata është një nga tiparet themelore të një gjykimi të drejtë. E drejta për tu mbrojtur nga një avokat, nuk shuhet dhe në rastet kur i akuzuari nuk është prezent gjatë gjykimit. Është e një rëndësie vendimtare për sigurimin e një procesi të rregullt gjyqësor që i akuzuari të përfaqësohet në mënyrë efektive në gjykimin e shkallës së parë dhe në apel.
Në të njëjtën kohë është e një rëndësie thelbësore paraqitja e të akuzuarit gjatë gjykimit jo vetëm për shkak të së drejtës së tij për t’u dëgjuar por dhe për të vërtetuar thëniet e tij dhe për ti krahasuar ato me ato të viktimës, interesat e së cilës duhet te mbrohen, dhe thëniet e deshmitarëve. Ligjvënësi duhet që në përputhje me rrethanat, të jetë i aftë të shmangë mungesat e pajustifikuara në gjykim të të akuzuarit. Kjo duhet të ndodhë, me kusht që sanksionet e përdorura të jenë në përputhje me rrethanat e çështjes dhe të akuzuarit mos ti cënohet e drejta e tij për t’u mbrojtur.
Është detyrë e Gjykatës për të siguruar një proces të rregullt gjyqësor dhë në përputhje me rrethanat të sigurojë që mbrojtësi, i të akuzuarit që po gjykohet në mungesë, ka të gjithë ndihmën e nevojshme për të kryer detyrën e tij.
Ndërsa sanksionon të drejtën e gjithësecilit, të akuzuar për një vepër penale, ‘për të mbrojtur veten personalisht ose nëpërmjet ndihmës ligjore’, neni 6.3 (c) nuk përcakton shprehimisht mënyrat për ta ushtruar këtë të drejtë. Në këtë mënyrë ju mbetet Shteteve kontraktuese, zgjedhja e mjeteve ligjore për ushtrimin e kësaj të drejte. Gjithashtu është detyrë e Gjykatës për të vlerësuar nëse metoda e zgjedhur është në përputhje me kërkesat e nenit 6 për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor. Në këtë aspekt duhet të kihet parasysh se të drejtat e parashikuara nga Konventa ‘garantojnë të drejta që nuk janë teorike ose abstrakte por efektive dhe praktike’. Pra, në vijim të këtij arsyetimi, vetë momenti i caktimit të një mbrojtësi personit që akuzohet për një vepër penale nuk siguron efektivitetin e Konventës.
Megjithatë një Shtet nuk mund të jetë përgjegjës për çdo dështim ose problem nga ana e avokatit të caktuar kryesisht ose nga i akuzuari. Kjo është pjesë e pavarësisë që sistemi gjyqësor e në këtë rast mbrojtësi ligjor ka nga Shteti, duke qenë se sjellja e përfaqësuesit, si ai i caktuar nga shteti dhe ai i zgjedhur nga i akuzuari, është çështje që i përket të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij ligjor. Nëse vihen në dijeni, autoritetet kompetente shtetërore kërkohet të ndërhyjnë për të siguruar një përfaqësim efektiv për të akuzuarin.

Monday, March 12, 2012

Shembull padie për zgjidhje martese

(ky shembull padie është në rastin kur nuk keni pasur fëmijë nga martesa)
Në praktikë procesi gjyqësor për divorc në rast se nuk keni pasur fëmijë është i thjeshtë. Kërkohet të paraqitni në Gjykatë padinë të shoqëruar me provat të cilat janë certifikata lindjeje për secilin nga bashkëshortët, certifikatë martese dhe certifikatë familjare. Normalisht një proces i tillë mund të zgjasë 3 ose 4 seanca gjyqësore. Nuk besoj se është e nevojshme të keni avokat nëse vendosni të paraqiteni vetë. Praktikisht, gjatë gjykimit do ti përmbaheni asaj cka keni shkruar në padi.
Më poshtë vijon shembulli:

Kërkesë padi

Paditës: Emër Mbiemër, biri/e bija i dhe , dtl. , lindur në , banues në (adresa e saktë), me kombesi dhe
shtetesi , e/i martuar. Përfqësuar nga (emër dhe mbiemër I përfaqësuesit nëse përfaqësoheni në
gjykim nga një avokat)

I/E Paditur: Emër Mbiemër, biri/e bija i dhe , dtl. , lindur në , banues në (adresa e saktë), me kombesi dhe
shtetesi , e/i martuar.

Objekti: Zgjidhje martese

Baza ligjore: Neni 132, 146 të Kodit të Familjes.

Përpara Gjykatës së rrethit Gjyqësor (Gjykata që duhet ti drejtohesh është Gjykata e vendit ku ka vendbanimin pala e paditur)

(Në padi do të tregoni historinë e marëdhënies suaj martesore. Mënyrën si jeni njohur, datën e martesës, arsyet për të cilat mendoni se marëdhënia juaj nuk funksionon më).
Një shembull:

Unë pala paditëse, i drejtohem me këtë padi Gjykatës për zgjidhjen e martesës sime me palën e paditur.
Me të paditurën jemi njohur (kur dhe si jeni njohur).
Në fillim marëdhëniet tona kanë qenë të mira dhe pas një periudhe njohjeje kemi vendosur të lidhim martesë, të cilën e kemi lidhur në datën (data e lidhjes së martesës).
Këtë fakt e provoj me Certifikatën e martesës nr. datë (numri dhe data e certifikatës së martesës) , lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile (emri ose numri i Zyrës së Gjendjes Civile që e ka lëshuar certifikatën)
Fillimisht marëdhëniet tona martesore kanë qenë të mira dhe janë karakterizuar nga mirëkuptimi reciprok dhe harmonia familjare.
Me kalimin kohës marëdhëniet tona janë përkeqësuar (këtu mund të jepni arsyet pse mendoni se marëdhëniet tuaja janë përkeqësuar).
Gjatë kësaj kohe ne jemi munduar të përmirësojmë martesën tonë por kjo ka qenë e pamunduar për shkak të konflikteve të herëpashershme dhe mospërputhjes së karaktereve që kemi pasur.
Martesa jonë ka humbur qëllimin e saj dhe bashkëjetesa jonë është bërë e pamundur etj.
Pretendimet e mia i mbështes në këto prova:
Certifikatë lindjeje për secilin nga bashkëshortët
Certifikatë martese
Certifikatë familjare
Përfundimisht kërkoj pranimin e padisë sipas objektit

Kërkuesi
(emër, mbiemër, nënshkrim)

Zgjidhja e marteses (Divorci) në Shqipëri

Kur mund të kërkoni zgjidhjen e martesës (divorcin)

1. Nëse të dy bashkëshortët bien dakort për zgjidhjen e martesës, ata mund të paraqesin para gjykatës bashkë me kërkesë padinë dhe një projekt marrëveshje. Projektmarrëveshja duhet përpiluar para një noteri dhe në të ju duhet të parashikoni se si do të zgjidhni pasojat e zgjidhjes së martesës (cili nga partnerët do të mbajë fëmijët, sa do të kontribojë partneri tjetër ekonomikisht për rritjen e tyre, etj).
2. Në rast se ju dhe bashkëshorti nuk jetoni më bashkë prej 3 vjetësh. Pra në këtë rast kërkohet të provohet se ju jeni ndarë faktikisht prej një periudhe 3 vjecare.
3. Neni 132 i Kodit të Familjes parashikon se secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martësës kur: “Për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjes mendore të pashërueshme, dënimit penal të rëndë të bashkëshortit ose për çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa” jetesa e përbashkët është bërë e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin për të cilin është lidhur për njërin ose të dy bashkëshortët.

Provat që duhet të paraqiten në gjykatë në rastin kur kërkoni zgjidhjen e martesës:
Certifikatë lindje për secilin nga bashkëshortët
Certifikatë martese
Certifikatë lindjeje për secilin nga fëmijët (në rast se keni fëmijë)
Certifikatë familjare

Duhet të keni parasysh se procesi i gjykimit për zgjidhjen e martesës ka si objekt:
Zgjidhjen e martesës
Të përcaktojë se me kë do të rrinë fëmijët
Të përcaktojë se sa do jetë pensioni ushqimor (sasinë e parave) që do të paguajë prindi me të cilin nuk do të jetojnë fëmijët
Te percaktoje takimet periodike te femijeve me prindin i cili nuk jeton me ta

Procedura e gjykimit për zgjidhjen e martesës

Seanca e parë e këtij gjykimi quhet seanca e pajtimit dhe të dy bashkëshortët janë të detyruar të marrin pjesë. Pas kësaj seance mund të zgjidhni ju nëse doni të shkoni në gjykim ose të përfaqësoheni me avokat.
Ndarja e pasurisë së bashkëshortëve do të zgjidhet në një proces tjetër gjyqësor me objekt “Pjestim pasurie”.

Tuesday, February 21, 2012

Atësia e fëmijëve të lindur jashtë martese


Njohja e atësise për fëmijët e lindur jashtë martese është një çështje shpesh delikate pasi nëse nuk kryhet në mënyrën dhe kohën e duhur mund të kërkojë shumë kohë dhe para për palët e përfshira. Vendimi për njohjen e atësisë së një fëmije është i pakthyeshëm.
Njohja vullnetare e atësisë së fëmijës së lindur jashtë martese mund të bëhet në çdo kohë nga burri i cili pretendon se është i ati i tij.
Njohja e atësisë kalon nëpër disa hapa:
- Fillimisht ai që pretendon atësinë e një fëmije duhet të paraqitet në Zyrën e Gjendjes Civile dhe të deklarojë vullnetarisht para nëpunësit të Gjendjes Civile faktin se ai është babai i fëmijës së regjistruar.
Burri i cili do të regjistrohet si ati i fëmijës së lindur jashtë martese duhet të ketë arritur moshën madhore, pra te ketë mbushur 18 vjeç.
Duhet patur parasysh një moment shumë i rëndësishëm që vetëm ati i fëmijës mund ta bëjë deklarimin e njohjes. Pra, nëse nëna e fëmijës do të paraqitej dhe do të bënte një deklarim në lidhje me atësinë e fëmijës së saj, ky deklarim nuk do kishte efekt ligjor.
- Më pas Zyra e Gjendjes Civile është e detyruar të njoftojë nënën e fëmijës për të marë mendimin e saj në lidhje me njohjen e atësisë. Njohja e atësisë do ketë efekt të plotë ligjor kur për këtë njohje jep pëlqimin e saj dhe nëna e fëmijës. Nëna ka një afat një mujor kohë për të kundërshtuar njohjen. Këtë mund ta bëjë me shkrim ose me goje para nëpunësit të Gjendjes Civile ku është bërë njohja.
Në rast se nëna e fëmijës e kundërshton njohjen e atësisë, burri që e pretendon atë, mund t’i drejtohet gjykatës për të vërtetuar atësinë e tij.

Njohja e atësisë në rrugë ligjore

Nese njohja e atesise se femijes nuk do te behet me ane te rruges administrative ajo mund te behet ne rruge gjyqesore.
Ne kete menyre, babai ose nena i nje femije te lindur jashte martese mund ti drejtohen gjykates me padine 'Per njohje atesie'.
Nese sic shpjeguam me lart, perpjekjet qe ben ati i femijes per te njohur atesine deshtojne ai mund t'i drejtohet gjykates me padi.
Gjithashtu dhe nena qe ka pasur nje femije jashte martese te cilin partneri i saj refuzon ta njohe si bir mund ti drejtohet gjykates me padi per vertetimin e atesise.
Nëna e fëmijës ka të drejtë të ngrejë padi brenda 3 vjetëve nga lidnja e fëmijës, ndaj personit që ajo pretendon se është babai i fëmijës së saj në të cilën do të kërkojë vërtetimin e atësisë për fëmijën.
Ndërkohë që e drejta e fëmijës për të ngritur padi ndaj personit që ai pretendon se është i ati lind në momentin që ai bëhet madhor dhe është e pakufizuar në kohë. Pra, fëmija mund të ngejë një padi ‘Për njohje atësie’ në çdo moment të jetës së tij.
Padi e atit për njohjen e atësisë së fëmijës që ai pretendon se është i tij lind nga momenti që kalon afati 1 mujor gjatë të cilit nëna duhet të shprehet në lidhje me njohjen vullnetare të tij të atësisë, e vijon deri në një vit pas saj.

Provat që duhet të paraqiten gjatë një procesi gjyqësor për njohjen e atësisë

Neni 189 i Kodit të Familjes shprehet se ‘Atësia e një fëmije të lindur jashtë martese mund të vërtetohet me vendim gjykate, nëse gjatë gjykimit provohet se në kohën e zënies (konceptimit) të fëmijës, i ati bashkëjetonte me nënën e fëmijës ose ka kryer marëdhënie seksuale me të me ose pa dhunë, ose i ka premtuar martesë ose nga një gjykim penal apo civil rezulton në mënyrë te drejtëpërdrejt ose tërthorazi atësia e fëmijës së lindur jashtë martese, si dhe kur dihet publikisht se e ka njohur fëmijën si të tijin’.
Së pari duhet të vërtetohet aftësia riprodhuese e atit të pretenduar
Së dyti e rëndësishme është të provohet gjatë gjykimit momenti i (zënies) konceptimit të fëmijës. Pas përcaktimit të këtij momenti duhet të provohet se ati dhe nëna e fëmijës nuk kanë qenë fizikisht larg në momentin e konceptimit (zënies) së fëmijës dhe se kanë pasur një marëdhenie bashkejetese ose marëdhënie seksuale.
Si provë mund të shërbejnë, fotografitë e përbashkëta, letrat, dëshmitarë të cilët mund të provojnë se nëna e ati i fëmijës kanë pasur lidhje.
Këtu është shumë e rëndësishme të mbani parasysh se në një proces civil gjykata nuk mund të detyrojë babain e pretenduar të fëmijës të kryejë analiza gjaku apo ADN-je që do të përcaktonin atësinë e fëmijës. Pra, është në vullnetin e tij, t’u nënshtrohet ose jo këtyre analizave. Por gjykata në këtë rast, do të mbante parasysh se ai me veprimet e tij po pengon në arritjen e një vendimi të drejtë.
E në një rast të tillë provat e tjera, si letra, emaile, foto, dëshmitarë, apo çdo lloj shkrese që do të provonte lidhjen e nënës dhe atit të fëmijës marrin rëndësi të madhe në gjykim, pasi gjykata do të vendoste bazuar ne to.
Pra, nëse babai i pretenduar i fëmijës e kundërshton këtë atësi, është patjetër e këshillueshme të kryejë analizat e ADN-së, të cilat zakonisht janë vendimtare në këtë lloj procesi.




Wednesday, December 28, 2011

Bashkëjetesa në Shqipëri


Bashkëjetesa
Për herë të parë në kodin e Familjes parashikohet se bashkëjetesa faktike midis një burri dhe nje gruaje sjell pasoja ligjore. Bashkëjetuesit janë të lirë të zgjedhin pasojat ligjore në lidhje me fëmijët e lindur nga kjo bashkëjetesë dhe pasurinë e tyre të vënë gjatë bashkëjetesës. Kjo mund të bëhet me anë të një marrëveshjeje përpara një noteri. Në këtë marrëveshje mund të përcaktoni që në rast ndarjeje, si do dëshironit të vijonte përgjegjësia juaj prindërore mbi fëmijët e lindur nga bashkëjetesa dhe si do të ndahej pasuria e vënë gjatë saj.
Në rast se ju do keni mosmarrëveshje për të vendosur mbi pasojat e bashkjetesës dhe në mungesë të një marrëveshjeje që do të rregullojë atë, mund ti drejtoheni gjykatës e cila vendos mbi pasojat e bashkëjetesës suaj.
Sipas Kodit të Familjes, bashkëjetesa përkufizohet si “një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie”.
Pra duke pasur parasysh këtë përkufizim duhet të kuptoni se megjithëse ligji nuk kërkon një periudhë të caktuar që bashkëjetesa juaj të sjellë pasoja ligjore, duhet që ajo të ketë qenë e vazhdueshme dhe ju të keni formuar një familje fakti.
Ju takon ju të provoni para gjykatës se bashkëjetesa juaj ka pasur një karakter të tillë. Kjo mund të provohet mendoj, psh: me një kontratë blerje ose qeraje shtëpie (në të cilën ju keni jetuar bashkë), foto, letra, fatura, dëshmitarë dhe çdo provë tjetër që mund të shërbejë për të kuptuar se ju keni jetuar si çift faktik.

Efektet e bashkëjetesës në lidhje me trashëgiminë

Trashëgimia ka të bëjë me të drejtat pasurore ju kalojnë të gjallëve për shkak te vdekjes së një personi. Në Kodin civil (në të cilin parashikohet trashëgimia) parashikohen personat që mund të trashëgojnë një person që vdes. Bashkëjetuesi nuk mund ta trashëgojë personin e vdekur por fëmijët e lindur nga bashkëjetesa po, duke qenë se fëmijët e lindur nga martesa (të cilëve ju është njohur amësia dhe atësia) janë të barabartë para ligjit me fëmijët e lindur nga martesa. Personi që vdes nuk mund të bëjë as testament në favor të bashkëjetuesit të tij. Kjo pasi, sipas ligjit shqiptar, mund të lëmë pasuri me testament vetëm për një numër të caktuar personash që janë: fëmijët, fëmijët e fëmijëve, bashkëshorti, personi i paaftë për punë që ka bashkëjetuar me trashëgimlënësin, prindërit, gjyshërit, vëllezrit dhe motrat. Brenda këtij rrethi personash cdo person është i lirë të bëjë testament. Nëse nuk respektohet kjo kërkesë e ligjit testamenti do të shpallet i pavlefshëm nga gjykata. Pra, nëse doni që bashkëjetuesi juaj të fitojë pronësi prej jush një nga rrugët kryesore për ta bërë këtë do të ishte kontrata e dhurimit ose kontrata ne dobi të personit të tretë.
Nëse personi që bën testamentin nuk ka asnjë person të afërt nga ata që u cituan më lart mund tja lërë pasurinë cdo personi tjetër.

Ndalimet për të lidhur martesë
Ndalohen të lidhin martesë ata që janë tashmë të martuar dhe nuk kanë zgjidhur ende atë ose martesa nuk është shpallur e pavlefshme.
Nuk lejohet martesa brenda antarëve të një familjeje deri në gradën e parë, si midis prindërei dhe fëmijëve, vëllezërve dhe motrave, ungjit dhe mbesës, emtës dhe nipit, fëmijët e vëllezërve dhe motrave. Por Gjykata e Rrethit ku banojnë kërkuesit mund të lejojë martesën midis fëmijve të vëllezërve dhe motrave për shkaqe me rëndësi. Siç e shjeguam më lart shkak me rëndësi mund të jetë gjendja e shtatëzanisë midis këtyrë familjarëve. Por duhet të patur parasysh, lejimi i martesës midis familjarëve ndodh vetëm në rastet e fëmijëve të vëllezërve dhe motrave. Me familjarë do të kuptojmë dhe anëtarët e familjes që janë dhënë në birësim. Pra ndalimi për të lidhur martesë midis familjarëve të përcaktuar më lart do të vijojë dhe me ata anëtarë të familjes që janë dhënë për birësim dhe nuk janë rritur si pjesë e familjes.
Nuk mund të lidhin martesë midis tyre vjehrri dhe nusja, vjehrra dhe dhëndri, njerku dhe thjeshtra, njerka dhe thjeshtri, pavarësisht se martesa që ka krijuar këtë lidhje është shpallur e pavlefshme, ka pushuar ose është zgjidhur.
Një tjetër kërkesë që bën ligji është që personat të cilët do të martohen të kenë zotësi të plotë për të vepruar. Pra, nuk mund të martohen ata që vuajnë nga një sëmundje e rëndë psikike. Bashkëshortët e ardhshëm duhet të kenë zhvillimin e duhur mendorë për të kuptuar pasojat ligjore të këtij veprimi. Kjo do të thotë se ndaj tyre nuk duhet të ekzistojë një vendim i Gjykatës që ju ndalon kryerjen e disa veprimeve juiridike.
Nuk lejohet gjithashtu martesa midis birësuesit dhe të birësuarit.