Friday, September 4, 2009

Lëshimi i urdhërit të ekzekutimit

Në fund të një procesi gjyqësor, zbatimi i vendimit kalon domosdoshmërisht nga një “Urdhër Ekzekutimi”. (Me përjashtim të rastit kur palët e pranojnë dhe zbatojnë vendimin vullnetarisht dhe janë të kënaqur me këtë).
Urdhëri i Ekzekutimit është një veprim procedural i lehtë për t'u realizuar, pasi të gjitha problemet kanë marrë fund praktikisht me përfundimin e gjyqit. Pra Urdhëri i Ekzekutimit është një urdhër që gjykata i jep Zyrës Përmbarimore për zbatimin e vendimit. Zbatimi i një vendimi nuk merret në shqyrtim nga Zyra Përmbarimore pa u shoqëruar me një urdhër ekzekutimi.
Lëshimi i urdhërit të ekzekutimit mund të kërkohet pasi vendimi ka marrë formë të prerë.
Marrja formë të prerë e një vendimi ndodh atëherë kur plotësohet afati i caktuar në ligjin procedurial. Mbas mbarimit të gjykimit në shkallën e parë që është gjykimi në gjykatat e rretheve gjyqësore brenda një afati 15 ditor palët pjesëmarrëse në gjykim kanë të drejtë të ankimojnë këtë vendim në Gjykatën e Apelit. Nëse palët nuk e ankimojnë vendimin atëherë vendimi do të marrë formë të prerë pas 15 ditëve.
Ndërkohë nëse palët e ankimojnë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë gjykimi do të vijojë në Gjykatën e Apelit e cila jep një vendim të formës së prerë. Ndaj vendimit të dhënë prej Gjykatës së Apelit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 30 ditëve. Por rekursi mund të bëhet vetëm në rast të shkeljes së rëndë të procedurës së gjykimit nga gjykata. Rekursi në Gjykatën e Lartë nuk ndalon palët të kërkojnë lëshimin e urdhërit të ekzekutimit, pra vendimi i Gjykatës së Apelit është i formës së prerë. Vetëm në raste të veçanta palët mund të kërkojnë të pezullohet ekzekutimi i një vendimi gjatë gjykimit në Gjykatën e Lartë.
Pra me plotësimin e afateve për ankimim vendimi i dhënë merr formë të prerë dhe personi i interesuar për zbatimin e vendimit përpilon një kërkesë “Për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit” të cilën e paraqet ne Gjykaten e Shkallës së Parë e cila ka dhënë vendimin. Bashkë me kërkesën duhet të paraqisni ne gjykatë dhe një kopje të vendimit që ka marrë formë te prerë të cilin kërkoni të ekzekutohet (vendimi mund të ketë marrë formë të prerë pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë ose Gjykatës së Apelit).
Kjo gjykatë brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës suaj është e detyruar të shqyrtojë kërkesën tuaj duke lëshuar vendimin që urdhëron ekzekutimin e vendimit. Me këtë vendim më pas do të paraqiteni në Zyrën e Përmbarimit që ka kompetencën territoriale të zbatojë vendimet e Gjykatës që ka lëshuar urdhërin (p.sh në rast se vendimin për urdhërin e ekzekutimit e ka dhënë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ju do të paraqiteni prane Zyrës së Përmbarimit Tiranë për të kërkuar që vendimi i dhënë të zbatohet).

4 comments:

Anonymous said...

Ky blog duket interesant. Shpresoj te kete dhe postime te tjera :)
Blerta

Anonymous said...

Ju lutem shkruani dicka per proceduren pas marrjes nga gjykata e apelit te urdherit te ekzekutimit per permbarimin.
Ju falemnderit,
E.Chachi

Anonymous said...

ka informacion te nevojshem ligjor por duhet te trajtohen edhe shume ceshtje te tjera. shpresoj qe ne te ardhmen ky arkiv interesant te pasurohet akoma me shume.
Besfort Strazimiri

Anonymous said...

a ka nje afat kohor qe nuk lejon kerkesen e leshimit te urdher ekzekutimit mbas vendimit te gjykate se apelit? dhe nqs ka sa eshte afati. flm